Lajme
Taksat dhe Tarifat vendore tani mund të paguhen ‘online’, kujdes me detyrimet e prapambetura
19 Korrik 2018
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) ka njoftuar se, në kuadër të reformës së deregulimit, si një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, për lehtësimin dhe modernizimin e shërbimeve publike, bën me dije se bizneset dhe qytetarët të cilët paguajnë taksa dhe tarifa vendore tashmë mund të printojnë Njoftim Detyrimin si dhe të kryejnë likujdimet përmes platformës elektronike e-Albania, në çdo kohë.
Po ashtu, në kryerjen e kërkesave të ndryshme pranë DPTTV, bizneseve dhe qytetarëve nuk do t’u kërkohet asnjë dokument i cili mund të nxirret nga punonjësit e administratës.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore njofton se së shpejti të gjithë subjektet dhe qytetarët do të mund të aplikojnë dhe të pajisen me vërtetim për likujdimin e taksave dhe tarifave vendore përmes platformës elektronike e-Albania.
Kujdes detyrimet!
DPTTV njofton gjithashtu se të gjithë subjektet të cilët rezultojnë debitorë ndaj Bashkisë Tiranë, të shlyejnë detyrimet brenda afateve të përcaktuara në nenin 89 i Ligjit 9920/2008 “Për proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të shmangur masat e mëtejshme.
Mospagesa e detyrimit tatimor brenda afateve ligjore do të shoqërohet me marrjen e të gjitha masave për vjeljen e detyrimeve tatimore, të parashikuara nga kreu XI, neni 88 e në vijim i Ligjit 9920/2008 “Për proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes për të moshuar dhe njerëz në nevojë që frekuentojnë mensat sociale.
25 Dhjetor 2017
Kryetari i bashkise Erion Veliaj jo vetëm që u shërbeu të moshuarve por dha dhe një mesazh nga mensa sociale në Kombinat për të gjithë.
“Dita e Krishtlindjes, dita kur dashuria e mund urrejtjen, kur shpresa e mund frikën, kur drita e mund errësirën dhe unë besoj se në qytetin tonë, qytet me 1 milionë vetë, qytet hallemadh, por kur ka dashuri, kur ka mirësi, kur ka vullnet ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ndaj më vjen mirë që u bë 2 vjet e gjysmë që qendrat tona sociale funksionojnë me ritëm të plotë, që kemi jo vetëm një vend për të kaluar një vakt, por edhe në vend për të pasur një shok, një shoqe, edhe një vend tjetër për të pasur pranë dikë për të qarë një hall, për të kujtuar, për të kërkuar ndihmë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.
Kryetari i bashkisë i ftoi qytetarët e Tiranës të jenë solidarë dhe të ndimojnë dikë me mundësi më të pakta.
“Në 2018, nëse çdo shqiptar, çdo tiranas që është në gjendje, të ndihmojë një fqinj, një komshi, që mund të jetë solidar me dikë që është në nevojë, besoj që mund të kemi një qytet të mrekullueshëm”, tha ai.
Këshilli Bashkiak miratoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për vitin 2018
21 Dhjetor 2017
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot me 32 vota pro buxhetin e vitit 2018, më i larti që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në fjalën e tij para këshilltarëve bashkiakë, deklaroi se falë mirëadministrimit, për të tretin vit radhazi, buxheti vjen në rritje. Gjithashtu, ai bëri të ditur se në fokus të buxhetit do të jenë jo vetëm vijimi i projekteve dhe investimeve të nisura, por edhe investimet e reja që do të prekin kryesisht zonat periferike të Tiranës dhe zonat rurale.
“Fakti që ky është viti i tretë radhazi që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin”, deklaroi Veliaj.
Veliaj bëri dhe një bilanc të punëve të kryera gjatë këtij viti nga Bashkia e Tiranës, duke theksuar se ky vit që po mbyllet ka qenë padyshim shumë i mirë për kryeqytetin. “Ky vit që po mbyllet ka qenë padyshim një vit shumë i mirë për qytetin, edhe pse kemi ende shumë punë përpara, Tirana është sot një qytet krejtësisht i transformuar në raport me qytetin e fjetur me një pafundësi problemesh që gjetëm në 2015”, u shpreh ai.
Ai nënvizoi se gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit në mënyrë të ndjeshme dhe kjo falë falë punës së bërë jo vetëm në promovimin e qytetit dhe aseteve të tij, por edhe në një sërë investimesh të rëndësishme. “Gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit 2.5 herë, pra me 250% krahasuar me 2016 dhe jam shumë optimist, që falë këtij mbulimi fantastik në mediat me prestigjioze ndërkombëtare, por edhe falë punës që kemi bërë për promovimin e qytetit në disa forume e panaire të rëndësishme ndërkombëtare, viti 2018 do të shohë një rritje akoma më spektakolare të këtij sektori të turizmit që deri më përpara as nuk llogaritej në të ardhurat tona buxhetore, por sot po jep një efekt ekonomik të jashtëzakonshëm për Tiranën”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e tij, Veliaj evidentoi se gjatë këtij viti është arritur të përfundojnë disa nga projektet e mëdha strategjike të Tiranës, të cilat i kanë dhënë qytetit një imazh krejt tjetër, si dhe kanë sjellë një rritëm tjetër zhvillimi. “Pazari i Ri është kthyer sot nga një gërmadhë dhe një gropë e madhe septike në mes të qytetit, në një nga zonat më fantastike e destinacionet më tërheqëse të Tiranës, sidomos për turistët e huaj që duan të shikojnë imazhin e Tiranës së vjetër. Sheshi “Skënderbej”, një tjetër projekt fantastik që u mbyll këtë vit për Tiranën, që tashmë ka bërë emër edhe në disa nga forumet më prestigjioze të arkitekturës, siç ishte Bienalja e Cikagos”, tha ai.
Duke u ndalur te buxheti i vitit të ardhshëm, theksoi se ai pritet t’i japë zgjidhje problemit të mungesës së infrastrukturës arsimore në zona të ndryshme të kryeqytetit. Kryebashkiaku Veliaj tha se për vitin 2018 do të nisë ndërtimi edhe i 17 shkollave të reja. “Në Bashkinë Tiranës gjenden gjithsej 191 shkolla publike. 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare këtyre tre problemeve, duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, nga të cilat 10 shkolla të ciklit 9-vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre, dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë”, tha Veliaj. Ai gjithashtu bëri të ditur se të gjitha shkollat 9 vjeçare do të kenë edhe kopësht të integruar.
Në NJA2 do të ndërtohen 3 shkolla të reja, dy 9 vjeçare dhe një e mesme;
Në NJA5 do të ndërtohet një shkollë 9 vjeçare;
Në NJA7 do të ndërtohet një shkollë e mesme;
Në NJA8 do ndërtohet një shkollë 9 vjeçare dhe një shkollë e mesme;
Në NJA9 do ndërtohet një shkollë 9 vjeçare dhe një e mesme;
Në NJA11 do ndërtohen dy shkolla 9 vjeçare dhe një shkollë e mesme;
Në NJA Dajt do ndërtohet një shkollë e mesme;
Në NJA Farkë do ndërtohet një shkollë 9 vjeçare;
Në NJA Kashar do ndërtohen dy shkolla 9 vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Sa i përket investimeve ai theksoi se për vitin 2018, buxheti për këtë zë pëson një rritje prej 16%, krahasuar me vitin aktual. Kryetari i Bashkisë së Tiranës listoi investimet të cilat do të prekin jo vetëm zonën e qendrës, por edhe ato në periferi, ndërsa një vëmendje të posaçme do të marrë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Me të drejtë buxheti i vitit 2018 mund të quhet buxheti i të gjithë qytetarëve, pasi përfshin të gjithë territorin e BT nga qendra deri në periferinë më të largët rurale të Bashkisë, duke shënuar rritje në të gjithë programet e zhvillimit”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar punën në vitin 2018 për ndërtimin e dy termialeve të rinj të transportit, terminali Jug-Lindor i Tiranës, i cili parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga rr. e Elbasanit, përkatësisht autobusët që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi, Përrenjasi dhe Elbasani, si edhe autobusët që vijnë nga Maqedonia dhe Terminali tjetër, që do të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga qytetet jugore, veriore dhe veri-lindore.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj dha një lajm të mirë edhe sa i përket jetës artistike të kryeqytetit. Piramida do të shndërrohet në shtëpinë e artit të pavarur në Tiranë, një vend ku qytetarët do të mund të shijojnë artin bashkëkohor. “Misioni i Piramidës është të ofrojë për qytetarët e Tiranës, sidomos për të rinjtë, një hapësirë gjithëpërfshirëse lirie të eksplorimit, ushtrimit dhe mësimit të artit. Ky objekt ka potencialin dhe mundësinë që brenda çatisë së tij të përmbledhë më të mirën e jetës intelektuale, artistike dhe mendimit novator që kryeqyteti ynë mund të ofrojë. Sapo kemi dakordësuar me Fondin Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, ashtu siç bashkëpunuam për Pazarin e Ri, ky do të jetë projekti ynë i radhës. Jam i sigurtë që do të transformohet në një xhevahir për Tiranën tonë”, bëri të ditur Veliaj.
Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2018 adreson edhe një sërë objektivash zhvillimorë në fushën sociale, që lidhen drejtpërsëdrejti me zbutjen e varfërisë dhe zhvillim ekonomik të shtresave të caktuara. “Në ndarjen e zërave të këtij buxheti, disa prej tyre vijnë në rritje siç janë programet e strehimit social, programet e nxitjes së punësimit, skema të cilat synojnë zhvillim afatgjatë dhe disa zëra janë risi buxhetimi, siç është projekti “bllok-ndihma ekonomike deri në 6 %”, tha Veliaj. Në fushën e nxitjes së punësimit, programet e hartuara synojnë të krijojë lehtësi për ngritjen e biznesit në mbështetje të sipërmarrësve të rinj apo të grave sipërmarrëse. Kujdes të veçantë do të tregohet edhe për programin e mbështetjes së karrierës profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar, të cilët do të mund të zhvillojnë Praktikën Profesionale pranë një subjekti privat, kohë gjatë së cilës do të marrin një pagë në nivelin minimal, financuar nga Bashkia Tiranë, nismë e cila këtë vit rezultoi e suksesshme.
Një lajm tjetër i mirë i dhënë nga kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij ishte edhe ai për nderimin e dy nga shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Ai tha se Bashkia e Tiranës ka nisur bisedimet me familjet e dy shkrimtarëve për t’i kthyer banesat ku ata kanë jetuar në muze. “Po propozojmë rehabilitimin e fasadës së pallatit në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël, që në fakt është pallati që duam ta kthejmë kryesisht në një pallat muze, ku ka banuar Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Ne duhet t’ju ofrojmë të dyja familjeve me propozim të këtij Këshilli, edhe familjes së Dritëro Agollit dhe familjes së Ismail Kadaresë, mundësinë për t’i blerë ato dy apartamente dhe për ta kthyer në një muze. Vetëm xhiro që ka sjellë në Tiranë Bunk Art dhe me Shtëpinë e Gjetheve, i ka kthyer dy stacione brenda qendrës së vogël të Tiranës, në një atraksion turistik. Ne kemi filluar komunikimet me familjet dhe madje, me një prej tyre e kemi avancuar”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ekspertët e Ministrisë së Financave trajnim me punonjësit e DPTTV
21 Tetor 2017
Ekspertë nga Ministria e Financave zhvilluan sot një trajnim me punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore.
Etika profesionale ishte edhe tematika bazë e këtij trajnimi, qëllimi i të cilit ishte sensibilizimi i të gjithë punonjësve të zyrave vendore tatimore lidhur me risqet.
Kontroll – vlerësimi mbi punonjësit e administratës tatimore vendore si dhe mbledhja dhe përdorimi i fondeve publike ishin edhe dy pika kyçe të tjera mbi të cilat u zhvillua trajnimi.
Gjobat, falen më tepër se 13 mijë biznese të Bashkisë Tiranë
3 Gusht 2017
Vetëm në Tiranë, numërohen 13218 subjekte, të cilat do të përfitojnë nga amnistia. Drejtori i përgjithshëm i Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës, Arli Naska sqaron se kjo falje është e sanksionuar me një ligj të miratuar në mars të këtij viti. “E para ishte faza që prek detyrimet tatimore të dhjetorit 2010 dhe më përpara, që konsistonte në faljen e të gjitha detyrimet tatimore dhe kamatat ligjore që vinin si pasojë e pagesës së këtyre detyrimeve jashtë afateve. Subjektet, persona fizikë ose SHPK, nuk kishin, në kuptimin e ligjit, asnjë detyrim në këtë periudhë. Mund të themi që këtë fazë sot e kemi të mbyllur”, sqaron Naska. Kjo amnisti ka dhe një fazë të dytë që përfshin periudhën janar 2011-dhjetor 2014, por në këtë rast falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat. “Faza e dytë konsiston në faljen e gjobave dhe kamatëvonesave që vijnë si rrjedhojë e detyrimit tatimor të shlyer me vonesë ose të mospaguar. Por kjo ka një kusht, që të përfitohet duhet që detyrimi tatimor të paguhet i plotë dhe afati për të përfituar është 31 dhjetor 2017. Periudha në janar 2015 dhe në vijim do të paguhet normalisht, sipas procedurave dhe afateve të parashikuara me ligj”, nënvizon Naska. Nga kjo amnisti nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore.
Bashkia e Tiranës aksion për bllokimin e pikave të karburanteve pa liçencë
9 Gusht 2017
Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe këto ditë me aksionin e saj për licencimin e të gjitha pikave që tregtojnë karburant dhe gaz të lëngshëm. Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore e kanë shtrirë aksionin e tyre në bllokimin e të gjitha pikave që ushtrojnë aktivitetin pa licencën përkatëse dhe pa kryer pagesën pranë Bashkisë së Tiranës.
Në një javë, 40 biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e tregtimit me pakicë të karburantit, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse kanë kryer pagesën dhe janë pajisur me licencë. Të ardhurat e deritanishme nga pagesat e këtyre bizneseve shkojnë për ndërtimin e 2 shkollave të reja në qytetin e Tiranës.
Ditët e fundit, aksioni i institucioneve në varësi të Bashkisë së Tiranës u përqëndrua edhe në ish komunat, sot njësi administrative të Tiranës. Falë kontrolleve të ushtruara këto ditë ndaj subjekteve në fushën e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, është rritur ndjeshëm numri i atyre që kanë aplikuar për t’u pajisur me licencë dhe për të ushtruar aktivitetin e tyre konform legjislacionit në fuqi.
Bashkia e Tiranës po ushtron kontrolle në të gjithë territorin e Tiranës për bllokimin e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe të vajrave lubrifikante, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin.
Në rast konstatimi të mungesës së licencës dhe të mosshlyerjes së detyrimeve tatimore, do të bëhet bllokimi deri në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje subjekteve përkatëse që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të mos bëhen burim aksidentesh, duke ushtruar aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.
Institucionet e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me organet e tjera shtetërore do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të bllokojnë të gjithë këto aktivitete tregtare, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.
Taksa e fjetjes në hotel – Bashkia e Tiranës: Raportimi do bëhet “online”
25 Korrik 2017
Deklarimi dhe raportimi për operatorët ekonomikë, që janë subjekt i taksës së fjetjes në hotel, do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të qendërzuar, që do të ngrihet nga Bashkia e Tiranës.
Gjithçka përcaktohet në një projektvendim të Këshillit Bashkiak, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e datës 26 korrik.
Sipas relacionit, që shoqëron projektvendimin ngritja e këtij sistemi është bërë për të rritur nivelin e mbledhjes së kësaj takse dhe saktësinë e përllogaritjes.
Nëpërmjet tij, hotelet dhe stabilimentet e ngjashme mund të raportojnë në mënyrë elektronike dhe në kohë reale fluksin e vizitorëve të tyre.
Sistemi do të aksesohet përmes internetit nga subjektet tatimpaguese dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, e cila është përgjegjëse për mbledhjen e taksës së fjetjes.
Baza e saj është numri i netëve të qëndruara në hotel, ndërsa subjekt i taksës janë të gjitha hotelet, motelet, stabilimentet turistike, shtëpitë e pritjes, turizmit familjar dhe çdo objekt tjetër që përdoret për këtë qëllim.
Me miratimin e reformës territoriale, i cili riorganizoi njësitë e qeverisjes vendore, Bashkia Tiranë u zgjerua, duke përshirë 24 Njësi Administrative, nga të cilat 12 u përkasin ish-komunave.
Si rezultat, procesi i deklarimit të taksës së fjetjes në hotel, i cili administron një informacion të mbledhur në mënyrë manuale, tashmë përfshin edhe subjektet që janë objekt i saj, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Njësite e reja Administrative të Bashkisë Tiranë.
Qëllimi i sistemit elektronik të qendërzuar është automatizimi i procesit të menaxhimit, për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës që të mbledhë taksën e fjetjes në hotel, krijimi i një baze të dhënash qendrore për të gjitha hotelet në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë si dhe do të sigurojë një sistem që do të mundësojë menaxhim të plotë dhe të besueshëm të vetë hoteleve, me sa më pak mundësi gabimi mbi të dhënat apo veprimet.
Taksat, 80 përqind. Bashkia e Tiranës rrit të ardhurat
4 Maj 2017
Qytetarët e Tiranës, në periferi apo qendër e kanë kuptuar tanimë që pagesa e taksave dhe tarifave vendore nuk është dëshirë por është detyrim ligjor.
Përfshirja e këtyre detyrimeve në faturën e ujit të pijshëm ka sjellë rritje të konsiderueshme të shlyerjes së këtyre detyrimeve.
“Ka një rritje drastike të qytetarëve që paguajnë. Përfshirja në faturën e ujit të pijshëm ishte zgjidhja më e mirë dhe që shuma totale u plotësua për çdo muaj. Qytetarët paguajnë çdo muaj 100 lekë për infrastrukturën arsimore, 150 lekë për pronën dhe 450 lekë për pastrimin”, tha Arli Naska, drejtor i përgjithshëm i taksave dhe tarifave vendore.
Tarifa e pastrimit apo taksa për pronën është detyrim ligjor por më parë ajo duhej të mblidhej nga minibashkitë që si masë shtrënguese kishin mosdhënien e çertifikatave në rast mos shlyerje detyrimi.
“Nëse më parë ishte një përqindje në 0.000 x % sot mund të themi që kemi arritur të mbedhin rreth 80 %”, thotë Naska.
Nga ana tjetër nuk ka me biznese që nuk paguajnë detyrimet vendore, arkëtimi i të cilave thotë drejtori është dyfishuar.
“Krahasuar me 2015 patëm një ritje 2.5 herë ndërkohë që duke u krahasuar për këtë 4 mujor të vitit me veten tonë sërish, kemi dyfishim”, vijon ai.
Sipas Naskës çdo taksë e mbledhur përkthehet në investim në rrugë, kanalizime, pastrim dhe jo vetëm në qendër por në të gjithë Tiranën e madhe.
Tirana transparente – Nis portali “Open Data”, Kryebashkiaku Veliaj: Ul kostot
19 Prill 2017
Open Data Tirana është një iniciativë që promovon principet e të Dhënave të Hapura. Ky projekt përpunon të dhënat e drejtorive dhe institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës e më pas i publikon në Internet për të rritur qasjen e qytetarëve në informacion, duke vendosur kështu një standard të ri mbi transparencën.
Të dhënat e opendata.tirana.al mblidhen nga drejtoritë e Bashkisë së Tiranës dhe publikohen në format “open data” nga Drejtoria e Statistikave pranë Bashkisë së Tiranës.
Të gjithë qytetarët do të kenë akses të plotë në të dhënat e Bashkisë së Tiranës, duke marrë informacionet e nevojshme, përmes këtij portali online.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar portalin e transparencës, të cilin e ka cilësuar edhe si një dritare dialogu me qytetarët.
“Informacioni është mjet për planifikimin e qëllimeve të tjera. Do të shtohet bashkëpunimi qytetar. Asnjë shoqëri nuk është rrënuar nga tepria e informacionit. Transparenca është një vlerë që e vlerësojnë të gjithë“, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se rritja e transparancës do të ndikojë drejtpërdrejt dhe në uljen e kostove dhe rritjen e përgjegjësisë në mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve.
“Jo vetëm nuk do të shtojë kostot, por transparenca do të ulë kostot sepse do të na bëjë së pari më të ndjeshëm ndaj publikut që ka gjithë këtë informacion. Dhe së dyti besoj se dhe planifikuesit tanë do t’i bëjë shumë herë më alertë në mënyrën se si i shpenzojmë paratë tona dhe të nikoqirllëkut që duhet të kemi në gjen të mënyrës se si ne konceptojmë gjithë punët publike“, u shpreh Kryetari i Bashkisë.
Portali “opendata.tirana.al” është funksional dhe përmban të dhëna të shumta për sektorë të ndryshëm, si ekonomia e kryeqytetit, infrastruktura, transporti, kultura etj. Tirana është bëhet qyteti i parë në vend që ofron një portal për transparencën.
Të gjitha detyrimet ndaj Bashkisë Tiranë në një faturë të vetme
2 Nëntor 2015
Bashkia e Tiranës nuk do ta tolerojë më situatën në të cilën e gjeti UKT-në, një shoqëri me borxhe dhe humbje të mëdha në rrjet. Për këtë qëllim, në Javën Kombëtare të Ujit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë qytetarët të paguajnë faturat e ujit të pijshëm dhe të denoncojnë çdo abuzim për të ndaluar vjedhjet, ndërsa paralajmëroi një sërë masash që synojnë përmirësimin e situatës, për të siguruar së pari, furnizimin me ujë për qytetarët e Tiranës dhe, së dyti, për ta kthyer UKT-në në një ndërmarrje që mirëmenaxhohet dhe pa borxhe.
Sipas Kryebashkiakut Veliaj menaxhimi i ri i Ujësjellës-Kanalizimeve do të sjellë një mënyrë të re të pagesës së taksave në Bashkinë e Tiranës.
Duke filluar nga fundi i vitit apo fillimi i vitit të ri, qytetarët do të paguajnë të gjitha taksat e bashkisë në një faturë të vetme të shpërndarë në 12 muaj, për të shmangur sorollatjet e qytetarëve nëpër zyra.
“Duke qenë se Ujësjellësi i Tiranës është i vetmi ent i cili hyn me një faturë në çdo shtëpi të qytetarëve të Tiranës, ne parashikojmë që të jetë po ashtu edhe agjenti ynë financiar për të gjitha detyrimet e Bashkisë. Ju vetë e dini, shkoni të merrni një çertifikatë në sportelin e njësisë administrative, ju thonë: “Nuk ke paguar taksën e pronës, ik paguaj njëherë atë e pastaj hajde merr certifikatë!” Shumica e qytetarëve me të drejtë thotë: “Po për sa kohë që nuk më sillni një faturë, pse duhet të bredh sportel më sportel, për çfarëdo lloj takse që unë duhet të paguaj?!” Vendimi që kemi marrë është se duke filluar nga fundi i këtij viti e fillimi i vitit tjetër të gjitha detyrimet e Bashkisë do të jenë në një faturë të vetme, të shpërndara në 12 muaj. Kjo do të thotë që nuk rëndon asnjë, por as nuk i mohohet njeriu e drejta kushtetuese për një certifikatë sepse nuk ka paguar një taksë tjetër për të cilën nuk i ka ardhur kurrë fatura nga sistemi që kemi trashëguar në katër vitet e fundit në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse të gjitha faturat do të kondensohen në një të vetme, që çdo qytetar në faturën e ujit të ketë të gjithë detyrimet e Bashkisë dhe të mos sorollatet më, duke i rënë pas çdo lloj zyre të Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar faturën e vet që kurrë nuk i ka mbërritur në shtëpi,” tha Veliaj.
Veliaj po ashtu tha se për herë të parë do të aplikohet një skemë e re e cila është e njohur në disa vende të botës, ku klientët e ujit do të jenë edhe aksionerë të Ujësjellës-Kanalizimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë UKT mund të dalë me fitime.
“Propozimi tjetër që kam është që të aplikojmë një skemë e cila është e njohur edhe në disa vende të ndryshme të botës, ku të gjithë klientët e Ujësjellës – Kanalizimeve, të jenë gjithashtu edhe aksionerë të kompanisë së UKT. Nuk e di në cilin raport, ndoshta 50%, ndoshta diçka më shumë, por kjo është e vetmja mënyrë se si duke dalë me fitim, secilit klient, në bazë të asaj që ka paguar t’i njihet edhe fitimi i kompanisë dhe t’i zbritet nga fatura e ujit. Kjo do të thotë që çdo njeri që paguan faturën e vet të ujit, duhet të dijë që është edhe vetë aksioner dhe do të marrë edhe ai një pjesë të fitimit, kur kompania të dalë me fitim nëse të gjithë e paguajmë ujin e pijshëm, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
Në fjalën e mbajtur në aktivitetin me sloganin “Ndalim vjedhjen e ujit të pijshëm që Tirana të ketë ujë 24/7”, kryebashkiaku Veliaj theksoi se 70% e ujit vidhet.
“Të gjithë kemi jetuar në Tiranë këto 4 vitet e fundit dhe se si janë hapur lavazhet që punojnë me ujë të pijshëm. Sot nuk besoj se ka ndërmarrje që është menaxhuar më keq se sa UKT. 2/3 e ujit që prodhohet humbet. Dua të ftoj të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë me denoncime ku abuzohet me ujin”, shtoi ai.
Sipas tij tashmë do të marrë fund historia e abuzimeve me UKT-në, e cila ka sot 65 milionë dollarë borxhe dhe detyrime tek të tretët.
“Vetëm borxhi ndaj kompanive që janë nënkontraktuar për të bërë punë për hesap të Ujësjellës-Kanalizimeve, është 20 milionë dollarë. Kam dhënë një urdhër, ne nuk do të paguajnë asnjë qindarkë nëse çdo rrugë dhe asfalt që duhej të rregullohej nga kjo kompani, të kthet në gjendjen e tyre të mëparshme. “Nga tani e tutje ne nuk kontraktojmë asnjë kompani, por këtë punë ta bëjnë ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës. Ndërmarrjet tona do të bëjnë punë për Ujësjellësin për të shmangur abuzimet”, tha Veliaj, ndërsa njoftoi se kjo ndërmarrje është në proces binjakëzimi me UKT në Puglia.
Po ashtu Veliaj renditi disa nga masat e mara deri më tani nga Bashkia.
“Ne kemi bllokuar 15 autobote uji që vidhnin ujin e pijshëm, kemi arrestuar 10 punonjë të ujësjellës-kanalizimeve. Kemi bllokuar veprimtarinë e 13 lavazheve me lidhje të paligjshme të ujit. Kemi ndërprerë lidhjet e disa kompanive të ujit dhe të birrës. Në total, njësitë e ujësjellës-kanalizimeve, kanë ndërpreë 10 mijë pika furnizimi me ujë të pijshëm”, tha Veliaj teksa ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ujin e pijshëm